ASH dhe BDI reagojnë ndaj punësimeve në Spitalin e Kumanovës
Partitë opozitare akuzojnë VLEN-in dhe drejtuesit e institucionit për përjashtim të shqiptarëve nga procesi i punësimit.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
KUMANOVË — Aleanca për Shqiptarët dhe dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Kumanovë kanë reaguar ashpër ndaj procesit të fundit të punësimit në Spitalin e Përgjithshëm të këtij qyteti. Sipas të dhënave të bëra publike, 60 persona të përkatësisë etnike maqedonase kanë nënshkruar kontrata pune në këtë institucion shëndetësor, ndërsa në mesin e tyre nuk figuron asnjë pjesëtar i komunitetit shqiptar.
Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar koalicionin VLEN për heshtje përballë diskriminimit në institucionet publike, duke theksuar se «60 vende pune, asnjë shqiptar! Ky është rezultati i politikave të VLEN-it dhe i heshtjes së tyre përballë diskriminimit në institucionet publike». Nga kjo parti shtrojnë gjithashtu pyetjen se ku janë ministrat e VLEN-it dhe premtimet e tyre për përfaqësim të drejtë, duke shtuar se «për karriget e tyre në Qeveri bëjnë zhurmë, ndërsa për vendet e punës së shqiptarëve heshtin!».
Nga ana e saj, dega e BDI-së në Kumanovë ka vlerësuar se praktika e deritanishme përbën një «deshqiptarizim të Spitalit të Kumanovës» dhe ka ngritur shqetësime për shkeljen e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në një qytet multietnik. Sipas kësaj partie, situata nuk është e izoluar, pasi gjatë dy muajve të fundit janë realizuar mbi 80 punësime pa përfshirë asnjë shqiptar, ndërsa drejtuesit e institucionit akuzohen për përjashtim të qëllimshëm nga procesi i punësimit.