Artan Grubi vazhdon në arrest shtëpiak
Prokuroria Publike ende nuk ka përfunduar hetimet për veprën penale
SHKUP — Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili në fund të shkurtit, pas 14 muajsh në arrati, u paraqit në pikën kufitare Bllacë dhe u dorëzua te autoritetet, vazhdon të jetë në arrest shtëpiak edhe gjashtë muaj pas dorëzimit.
Në fund të shkurtit, Grubi u vetëdorëzua në pikën kufitare në Bllacë, ku edhe u arrestua dhe u dërgua në Burgun e Shutkës. Më pas, siç sqaruan autoritetet, për shkaqe sigurie u vendos që ai të shkojë në arrest shtëpiak, ku më pas disa herë iu vazhdua paraburgimi.
Prokuroria Publike për Portalb.mk ka thënë se hetimet për lëndën ndaj Grubit janë ende në zhvillim. “Jemi në proces të hetimeve dhe mbledhjes së dëshmive. Në momentin që të ketë detaje të reja do t’i ndajmë me opinionin. Për të mos e dëmtuar procesin nuk mund të ndajmë më shumë detaje”, thanë nga Prokuroria.
Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.
Burim: Portalb.mk, https://portalb.mk/artan-grubi-gjashte-muaj-ne-arrest-shtepiak-ende-nuk-ka-aktakuze/
— Redaksia ZHURMA