Arsenali shumë pranë marrëveshjes për Bruno Guimaraes
Klubi londinez gati të paguajë deri në 60 milionë funte për mesfushorin brazilian.
LONDËR — Arsenali është shumë pranë arritjes së marrëveshjes së plotë me Newcastle United për transferimin e mesfushorit brazilian Bruno Guimaraes, sipas gazetarit të besueshëm David Ornstein. Klubi londinez është gati të paguajë deri në 60 milionë funte.
Oferta fillestare verbale e Arsenalit, më e ulët se kjo shumë, u refuzua nga Newcastle, drejtuesit e të cilit këmbëngulnin se nuk do ta shisnin një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Sipas The Athletic, Guimaraes i kishte bërë të ditur klubit dëshirën për t'u larguar e për t'iu bashkuar Arsenalit.
Tashmë situata ka ndryshuar dhe palët janë afër finalizimit, të gjitha të interesuara që transferimi të përfundojë sa më shpejt. 28-vjeçari është në pritje të lejes për t'iu nënshtruar kontrollimeve mjekësore, ndërsa ndodhet me Newcastle në kampin përgatitor në La Manga të Spanjës.
Burim: Insajderi
— Redaksia ZHURMA




