Arrestohet shtetasi gjerman në Gjilan, sekuestrohen 43 armë
Policia dhe Prokuroria Speciale arrestojnë një shtetas gjerman në rajonin e Gjilanit pas zbulimit të 43 armëve të gjata në automjetin e tij.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
GJILAN — Një shtetas gjerman është vënë në pranga në rajonin e Gjilanit, nën dyshimet për përfshirje në veprimtari të krimit të organizuar dhe trafikim të paligjshëm të armëve. Sipas një komunikate të lëshuar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale, operacioni u realizua nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
Gjatë kontrollit dhe skanimit të automjetit të të dyshuarit, autoritetet zbuluan dhe sekuestruan si provë materiale 43 armë të gjata automatike. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërkohë që hetimet vijojnë për të zbardhur prejardhjen, destinacionin e armëve dhe rrethanat e plota të rastit.