Arrestohen tre persona në Prishtinë, dyshohen se falsifikonin dokumente
Të arrestuarit akuzohen për falsifikim dokumentesh identifikimi, lejeqëndrimesh dhe shoferi
— Tre persona janë arrestuar të mërkurën në Prishtinë, në kuadër të një aksioni të realizuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, nën dyshimet për veprën penale 'Falsifikimi i dokumenteve'.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, bastisjet janë zhvilluar në tri lokacione të ndryshme, ku janë arrestuar të dyshuarit me inicialet G.Th., E.G. dhe Sh.Sh. Aksioni është zhvilluar në kuadër të hetimeve për veprën penale 'Falsifikimi i dokumenteve'.
Prokuroria bëri të ditur se, gjatë hetimeve, janë zbatuar masa të veçanta hetimore përmes të cilave janë siguruar prova materiale, përfshirë komunikime të zhvilluara në rrjete sociale, kontakte ndërmjet të dyshuarve, si dhe dokumente të falsifikuara të shteteve të ndryshme. Sipas dyshimeve të deritanishme, të arrestuarit falsifikonin dokumente të ndryshme identifikimi, përfshirë letërnjoftime, patentë shoferi dhe pasaporta të disa shteteve evropiane.
— Burim: Gazeta Dukagjini, https://www.dukagjini.com/arrestohen-tre-persona-ne-prishtine-dyshohen-se-falsifikonin-dokumente-per-persona-ne-kerkim-nderkombetar/ — Redaksia ZHURMA