Arbër Hoxha pritet të largohet nga Dinamo Zagrebi
Konkurrenca e shtuar në krahët e fushës e vështirëson hapësirat për reprezentuesin shqiptar te Dinamo Zagrebi.
Reprezentuesi shqiptar Arbër Hoxha pritet të jetë një nga lojtarët që do të largohet nga Dinamo Zagrebi gjatë këtij afati kalimtar, sipas raportimeve të mediumit kroat “tportal.hr”.
Prurjet e reja në skuadër, si Mislav Orshiq, Iker Almenas dhe Juan Nsoki, kanë rritur ndjeshëm konkurrencën në pozicionet e krahut. Për shkak të numrit të madh të lojtarëve në këto role, Hoxha dhe Fran Topiq janë përsëri afër derës së daljes nga Maksimiri.
Mediat kroate vlerësojnë se Hoxha vështirë se mund të llogarisë në minuta të konsiderueshme gjatë sezonit. Ato theksojnë se klubi mund të kërkojë një kompensim të lartë për transferimin e tij, por mungesa e shtetësisë së një vendi të Bashkimit Evropian ngushton rrethin e blerësve potencialë.