Aktakuzë ndaj drejtorit për mashtrim në tenderin e MSH-së
Prokuroria Themelore në Prishtinë ngre aktakuzë ndaj drejtorit të kompanisë "Med Plus" për dokumentacion të rremë në prokurim publik.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton Prenajt dhe kompanisë "Med Plus" SH.P.K. nën dyshimin për veprën penale të keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim publik. Rasti lidhet me një tender të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë për furnizim me material shpenzues medicinal nga Lista Esenciale, ku grupi i operatorëve ekonomikë kishte paraqitur oferta për dy lote, përkatësisht Lotin 1 në vlerë prej 344 mijë e 955.77 eurosh dhe Lotin 3 në vlerë prej 169 mijë e 12.36 eurosh.
Sipas aktakuzës, më 19 janar 2024, i pandehuri dyshohet se ka paraqitur dokumentacion të rremë gjatë ofertimit për të përmbushur kriteret teknike dhe profesionale të dosjes së tenderit. Organi i akuzës thekson se në dosje ishte përfshirë një certifikatë ISO e lëshuar nga autoriteti certifikues "NQA" për prodhuesin "Forlong Medical Co., Ltd" nga Kina, e cila kishte skaduar dhe ishte anuluar që në tetor të vitit 2022. Sipas hetimeve, afati i vlefshmërisë në dokument dyshohet se u ndryshua nga 18 tetor 2022 në 18 tetor 2024 për ta vënë në lajthitje autoritetin kontraktues.
Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës kompetente që pas shqyrtimit gjyqësor t'i shpallë fajtorë të pandehurit dhe t'i dënojë sipas ligjit, si dhe t'u shqiptojë masën e ndalimit të pjesëmarrjes në procedurat e prokurimit publik.