Aksident fatal në Fushë-Krujë–Thumanë, 19-vjeçari përplas këmbësorin
Një 65-vjeçar ka mbetur i vdekur pas një aksidenti në aksin Fushë-Krujë–Thumanë, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariat.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
KRUJË — Një aksident me pasojë vdekjen e një 65-vjeçari ka ndodhur në aksin rrugor Fushë-Krujë–Thumanë, në afërsi të fshatit Luz. Ngjarja është regjistruar rreth orës 14:10, kur një automjet tip «Mercedes-Benz», që drejtohej nga 19-vjeçari Floxhen Bardhi, ka përplasur këmbësorin Paulin Filopati nga Mirdita.
Sipas autoriteteve, viktima po tentonte të kalonte rrugën në këmbë nga njëra anë në tjetrën në sy të bashkëshortes së tij, e cila ka shpëtuar nga goditja. Si pasojë e plagëve të rënda, 65-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Paraprakisht, policia po heton dy pista kryesore: nëse këmbësori ka ndërprerë rrugën në mënyrë të pakujdesshme apo nëse shpejtësia e lëvizjes së mjetit ka ndikuar në ngjarje, ndërsa grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave.