Komunat kërkojnë financim të qëndrueshëm për Qendrat për Punë Sociale
Punëtoria u zhvillua në kuadër të projektit “Fuqizimi i Kapaciteteve dhe Mekanizmave për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore”
— Asociacioni i Komunave të Kosovës, në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës, ka organizuar një punëtori me drejtorë komunalë të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, zyrtarë për barazi gjinore, përfaqësues të Qendrave për Punë Sociale dhe të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, ku u diskutuan sfidat dhe prioritetet për përmirësimin e financimit dhe ofrimit të shërbimeve sociale në nivel lokal.
Sipas njoftimit të AKK-së, punëtoria u zhvillua në kuadër të projektit “Fuqizimi i Kapaciteteve dhe Mekanizmave për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore” dhe shërbeu si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e sfidave me të cilat përballen komunat në planifikimin, financimin dhe ofrimin e shërbimeve sociale, duke vënë theks të veçantë në nevojën për planifikim më të mirë buxhetor, koordinim institucional dhe adresim të nevojave reale të qytetarëve.
Gjatë sesioneve të punës u prezantuan sfidat dhe mundësitë që lidhen me planifikimin buxhetor në nivel lokal, si dhe një model i propozuar për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor të shërbimeve sociale.
Përfaqësuesit e komunave evidentuan mungesën e financimit të qëndrueshëm, kapacitetet e kufizuara njerëzore, nevojën për mbështetje më të madhe të Qendrave për Punë Sociale dhe koordinim më të mirë ndërmjet nivelit lokal dhe institucioneve qendrore.
Vëmendje e veçantë iu kushtua shërbimeve për mbështetjen e grave dhe fëmijëve që kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore, me pjesëmarrësit që theksuan rëndësinë e sigurimit të burimeve të mjaftueshme financiare, fuqizimit të mekanizmave lokale dhe krijimit të mundësive për riintegrim dhe mbështetje afatgjatë të të mbijetuarave.
Në përmbyllje të punëtorisë, pjesëmarrësit identifikuan prioritetet që duhet të reflektohen në procesin e planifikimit të buxhetit komunal për vitin 2027, me synimin për të siguruar shërbime sociale më gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të orientuara drejt nevojave të qytetarëve.
Burim: Zëri
— Redaksia ZHURMA