Agon Ferati takon ambasadoren e Rumanisë për të drejtat e bashkësive
Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive diskuton me Adela Monica Axinte mbi mbrojtjen e të drejtave dhe gjuhën vllahe.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, ka pritur në takim ambasadoren e Rumanisë, Adela Monica Axinte, ku është diskutuar për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në mbrojtjen e të drejtave të bashkësive në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjatë takimit u theksua rëndësia e ruajtjes së traditave, gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë së bashkësisë vllehe në vend.
Palët i kanë vlerësuar lart marrëdhëniet bilaterale dhe partneritetin mes dy vendeve aleate në NATO, ndërsa pala rumune ka shprehur gatishmërinë për të ndarë përvojën e saj në procesin e integrimit evropian. Ferati e ka njoftuar diplomaten rumune me aktivitetet e ministrisë që drejton, duke përmendur përparimin në bashkëpunimin me mediat dhe parandalimin e gjuhës së urrejtjes përgjatë muajve të fundit.
Nga ana e saj, ambasadorja Axinte ka shprehur shqetësimin lidhur me numrin e vogël të nxënësve vllehë që mësojnë në gjuhën amtare, si pasojë e mungesës së kuadrit mësimor. Ferati ka siguruar se institucioni që drejton do të shqyrtojë propozimet e ambasadës, shoqërisë civile dhe bashkësisë vllehë për të inkurajuar fëmijët që të mësojnë gjuhën e prindërve të tyre.