kosove

Si i dha fund marrëveshja e Kumanovës 78 ditë lufte në Kosovë?

Më 9 qershor 1999, NATO dhe RFJ-ja nënshkruan marrëveshjen ushtarako-teknike që detyroi Serbinë të tërhiqte të gjitha forcat nga Kosova.

Si i dha fund marrëveshja e Kumanovës 78 ditë lufte në Kosovë?
Foto: Wikimedia Commons

PRISHTINË — Sot bëhen 27 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, që i dha fund luftës në Kosovë pas 78 ditësh bombardime të NATO-s mbi caqet serbe. Marrëveshja, e nënshkruar më 9 qershor 1999 nga komandanti i parë i KFOR-it Michael Jackson dhe gjenerali serb Nebojsha Pavkoviq — i akuzuar më vonë në Hagë për krime lufte dhe gjenocid — hyri në fuqi më 11 qershor.

Me të, Serbia u detyrua të tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova, duke përfshirë ushtrinë e rregullt, paramilitarët, forcat ajrore, shërbimet informative dhe policinë speciale. U caktua gjithashtu një zonë sigurie ajrore 25 km përtej kufirit dhe një zonë 5 km ku ndaloheshin armatimet e rënda.

Lufta la pas më shumë se 10 mijë të vrarë, rreth 5 mijë të zhdukur dhe mbi 1 milion shqiptarë të zhvendosur. Më 10 qershor 1999, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Havijer Solana urdhëroi ndalimin e bombardimeve; një ditë më vonë, Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi rezolutën 1244. Më 12 qershor zbarkuan trupat e para të NATO-s, ndërsa forcat serbe nisën largimin. KFOR-i arriti në 37.200 ushtarë nga 36 shtete, të ndarë në pesë zona të përgjegjësisë. Në të njëjtën kohë, UÇK-ja u shpërbë për t'u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ndërsa OKB-ja nisi administrimin e përkohshëm të vendit.

Burim: RTV21
— Redaksia ZHURMA

§

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.