← Shqipëri
Live · Shqipëri · 10:21 · 11 Korrik 2026

Si ndikojnë 20 minuta në natyrë te shëndeti ynë?

Sipas studiuesve, të qëndrosh në natyrë ul hormonet e stresit, ngadalëson ritmin e zemrës dhe forcon sistemin imunitar.

TIRANË — Shkenca ka gjetur përgjigjen: veç 20 minuta në natyrë mjaftojnë për të ulur presionin e gjakut, ngadalësuar rrahjet e zemrës dhe qetësuar sistemin nervor. Sipas profesoreshës Kathy Willis nga Universiteti i Oksfordit, këto ndryshime nisin që në kontaktin e parë me pemët, gjethet apo këngën e zogjve, sepse aktivizojnë sistemin nervor autonom, shkruan BBC.

Nuk është e nevojshme të kaloni orë të tëra në mal apo në pyll — sipas studiuesve, edhe një shëtitje e shkurtër disa herë në javë sjell përfitime të dukshme. Një studim britanik me rreth 20 mijë pjesëmarrës zbuloi se ata që kalonin të paktën 120 minuta në javë në hapësira të gjelbra raportonin shëndet dhe mirëqenie psikologjike më të lartë.

Efekti prek edhe hormonet: kalimi i kohës jashtë ul nivelet e kortizolit dhe adrenalinës, hormonet që rriten kur trupi është nën stres. Një studim tregoi se personat e ekspozuar tri ditë ndaj aromës së vajit japonez Hinoki patën rënie të adrenalinës dhe rritje të qelizave "vrasëse natyrore", që ndihmojnë organizmin të luftojë viruset — efekt që zgjati edhe dy javë më vonë.

Edhe aromat kanë ndikim: bimët lëshojnë përbërje kimike natyrore që hyjnë në organizëm përmes frymëmarrjes, ndërsa aroma e pyllit me pisha mund ta qetësojë trupin brenda 90 sekondash, me efekt që zgjat rreth 10 minuta. Studiuesit thonë se edhe foshnjat, të cilat nuk kishin krijuar ende lidhje emocionale me aroma të caktuara, qetësoheshin nga era e limonenit.

Natyra ndikon edhe në mikrobiomën e zorrëve, bashkësinë e mikroorganizmave të dobishëm në trup. Toka dhe bimët përmbajnë baktere të ngjashme me ato të produkteve probiotike, që sipas studiuesve mund të forcojnë sistemin imunitar dhe të ndikojnë pozitivisht në humor. Bimët çlirojnë gjithashtu fitoncide, substanca me veti mbrojtëse ndaj mikroorganizmave të dëmshëm.

Shkencëtarët e sëmundjeve infektive thonë se kontakti me tokën dhe natyrën vepron si një "stimul" për sistemin imunitar, duke e ndihmuar atë të reagojë më mirë. Siç e përmblodhi profesoresha Ming Kuo nga Universiteti i Illinois, natyra "qetëson atë që ka nevojë për qetësim dhe forcon atë që ka nevojë për forcim".

Jo të gjithë kanë mundësi të shkojnë shpesh në pyje, por edhe elemente të vegjël të natyrës në shtëpi sjellin përfitime. Ekspertët sugjerojnë lule me ngjyra të bardha ose të verdha, të lidhura me efekte qetësuese, si dhe përdorimin e aromave natyrore, si vajrat esencialë me përbërje të ngjashme me ato të pemëve.

Burim: ATSH
— Redaksia ZHURMA

Reklamë · nga shtëpia
ZhurmaStudio
Përmbajtje, rrjete sociale, ueb dhe AI — nga ekipi që bën këtë faqe.
Njihu me Studion →
Lidhje nga arkiva

Të ngjashme

sipas temës · #shqiperi

Më të lexuarat sot

Top 10
Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.

Vure re një gabim në këtë artikull? Na shkruaj te zhurmapress@gmail.com — përgjigjemi brenda 72 orëve. · Standardet §6

Zbulo Zhurmën