Sa do të rritet VV-ja deri në fund të numërimit të votave me postë?
Pse numërimi i votave me postë po ndryshon balancën e forcave në Kuvend?
PRISHTINË — Numërimi i votave me postë po ndryshon ndarjen e mandateve në Kuvendin e Kosovës. Afër 80 për qind e votave me postë janë numëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dhe ky proces që pritet të përmbyllet në mes të javës ka rritur numrin e mandateve për Lëvizjen Vetëvendosje nga 48 në 52 ulëse.
PDK-ja i ka humbur dy ulëse, ndërsa LDK-ja dhe AAK-ja kanë humbur nga një. Sipas të dhënave të KQZ-së, PDK-ja ka 22 ulëse, LDK-ja 19 dhe AAK-ja 7.
Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka thënë se sipas trendit aktual, VV-ja mund të shkojë deri në 53 mandate. "Gjasat janë që LDK-ja fillimisht e humbë mandatin e 19-të, por në fund PDK-ja ta humbë mandatin e 22-të", ka thënë ai, duke shtuar se mbetet e diskutueshme se kujt do t'i merret ky mandat.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se pas votave me postë do të numërohen ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. Më pas KQZ-ja do të presë afatin 48-orësh të ankesave, ku palët kanë të drejtë të dorëzojnë ankesa brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar. Në rast se nuk do të ketë ankesa, KQZ-ja është e gatshme për të proceduar me shpalljen e rezultateve përfundimtare.
KQZ-ja do të rinumërojë deri në 10% të vendvotimeve për të adresuar problemet e evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit gjatë zgjedhjeve të dhjetorit 2025, me qëllim që të sigurohet saktësia e numërimit.
Shpallja e rezultateve përfundimtare pritet më 26 qershor, ndërsa certifikimi deri më 6 korrik. Në Kuvend kanë hyrë 41 gra, prej tyre 5 përmes kuotës gjinore. Në Lëvizjen Vetëvendosje, 18 kandidate gra kanë hyrë në Kuvend pa ndihmën e kuotës. Edhe në LDK të shtatë gratë fituan ulëse pa kuotë, ndërsa në AAK vetëm Time Kadrijaj arriti të sigurojë ulësen pa ndihmën e kuotës.
Kuota pritet t'ua mundësojë ulëset Eliza Hoxhës dhe Ariana Musliu-Shoshit nga PDK-ja, duke lënë jashtë Bekim Haxhiun dhe Xhavit Halitin. Në AAK, Albana Bytyqi dhe Teuta Haxhiu pritet të hyjnë përmes kuotës, me Bekë Berishën dhe Burim Ramadanin jashtë. Përveç kësaj, tri deputete gra do t'i ketë Lista Serbe, 1 KDT-ja, 1 NDS-ja, dhe 1 SDU-ja.
Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.