VLEN: Partneriteti qeveritar është stabil dhe mbetemi të përkushtuar
Kryesia Qendrore e VLEN-it ka mbajtur mbledhjen e radhës ku janë diskutuar zhvillimet aktuale politike dhe janë rikonfirmuar prioritetet programore.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Kryesia Qendrore e VLEN-it ka mbajtur mbledhjen e radhës për të diskutuar zhvillimet aktuale politike dhe për të rikonfirmuar prioritetet për periudhën në vijim, ndërsa ka theksuar se partneriteti qeveritar është stabil dhe efikasiteti i Qeverisë duhet të gjykohet përgjatë një mandati të plotë. Sipas koalicionit, miratimi në Qeveri i propozimit për provimin e jurisprudencës përbën një hap historik, pasi për herë të parë parashihet dhënia e tij edhe në gjuhën shqipe, duke përmbushur kërkesën e studentëve.
Në kumtesën e tyre thuhet se Marrëveshja e Ohrit është arritje historike dhe përfaqësimi i drejtë e adekuat i bashkësive etnike duhet të garantohet me ligj, ndërsa u vlerësua si absurde thirrja në këtë marrëveshje njëkohësisht me bllokimin e avancimit të saj. VLEN ka shtuar se mbetet e përkushtuar ndaj miratimit të propozimligjit për transformimin e angazhimit me kontrata në marrëdhënie të rregullt pune pa afat të caktuar për personat që i plotësojnë kushtet, si dhe vazhdimit të mbështetjes financiare përmes projekteve për komunat me shumicë shqiptare në kuadër të decentralizimit. Ndërkaq, raporti i ri i Komisionit Evropian u vlerësua si pasqyrë reale e përparimit dhe sfidave, ndërsa anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet qëllim strategjik.