Vdekja e punëtorit në Ferizaj, ndalohet një person për 48 orë
Prokuroria ka ndaluar një person për 48 orë pas vdekjes së punëtorit në vendin e punës në Ferizaj.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
FERIZAJ — Një person është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, pas vdekjes së një punëtori në vendin e punës në Ferizaj. Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i dyshuari me iniciale B.T. dyshohet lidhur me rastin e ndodhur në rrugën “Cen Dugolli”, ku një person që po kryente punime në një objekt ndërtimi dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda, duke ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Sipas Gazetës Express, viktima është M.M., 54 vjeç, ndërsa i ndaluari B.T. është 31-vjeçar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar i Qendrës Emergjente në Ferizaj, kurse me urdhresë të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Prokurori i shtetit ka udhëzuar Policinë dhe Inspektoratin e Punës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e rrethanave.
Lexo edhe
Më shumë →
Ndërprerje e ujit në Ferizaj
· 1 min