Përshkallëzohet protesta e studentëve te Ministria e Arsimit
Studentët shkulin kangjellat dhe pllakat e trotuareve në Tiranë, duke goditur me gurë, vezë e bojë godinën e ministrisë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
TIRANË — Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar në akte dhune dhe përplasje fizike mes efektivëve të policisë dhe protestuesve. Të rinjtë kanë shkulur nga vendi kangjellat e rrethimit dhe pllakat e trotuarit, ndërsa me to kanë qëlluar xhamat e ministrisë, krahas gjuajtjeve me vezë dhe bojë.
Gjatë kësaj faze, forcat e rendit kanë ndërhyrë me vendosmëri në terren, duke përdorur autobotin e ujit me presion për të larguar turmën nga perimetri i godinës dhe duke nisur shoqërimet e para të protestuesve drejt komisariateve të kryeqytetit. Pjesa tjetër e turmës ka lëshuar thirrje në kor për dorëheqje dhe «Poshtë diktatura!», ndërsa forcat e rendit kanë bërë thirrje përmes megafonit që të rinjtë të distancohen nga aktet e dhunës.
Më parë, protesta kishte mbledhur disa qindra studentë para godinës, duke bllokuar qarkullimin në Rrugën e Durrësit.