Vata: Lojtarët e Kosovës më thanë ti je shqiptar dhe më shanë
Mesfushori i Irlandës pretendon se u fye nga kundërshtarët gjatë ndeshjes në Dublin.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Republika e Irlandës shënoi fitore me rezultatin 3:0 ndaj Kosovës në ndeshjen e zhvilluar në Dublin, ku mesfushori Rocco Vata u inkuadrua në lojë në minutën e 84-t. Për 21-vjeçarin ky ishte debutimi në shtëpi me fanellën irlandeze, duke regjistruar paraqitjen e tij të katërt për përfaqësuesen. Pas përfundimit të takimit, Vata pretendon se është fyer nga futbollistët kosovarë gjatë një momenti kur po përpiqej të shpërqendronte portierin kundërshtar në zonën e rrezikshme. «Kur isha në zonën e rrezikshme dhe përpiqesha të shpërqendroja portierin, ata thanë disa gjëra. E kuptova», ka thënë Vata, duke shtuar se lojtari në fjalë i kishte kërkuar falje pas ndeshjes. «Më thanë ‘ti je shqiptar’ dhe më pas më shanë. Unë iu përgjigja: ‘po, s’ka problem’. Lojtari erdhi dhe më kërkoi falje pas ndeshjes, gjë që ishte mirë».
Vata, i cili është djali i ish-kapitenit të Shqipërisë, Rudi Vatës, nuk ka treguar identitetin e lojtarit që sipas tij e kishte sharë. Sfida u vështirësua për Kosovën qysh në minutën e 26-të, kur Kreshnik Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq për shkak të prekjes së topit me dorë në vijën e portës. Pavarësisht këtij episodi, raportet mes Kosovës dhe Irlandës vlerësohen si të mira, ndërsa tifozëritë e të dyja palëve kanë shfaqur respekt gjatë përballjeve. I lindur në Glasgow të Skocisë dhe me anë të nënës së tij që përfaqëson Irlandën, lojtari që aktualisht luan te Watfordi në Angli u shpreh tejet i lumtur për atmosferën dhe praninë e tetë personave nga familja e jo më pak gjyshes së tij në tribuna.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar