Vala e të nxehtit përfshin Kosovën
temperaturat pritet të arrijnë deri në 38 gradë
PRISHTINË — Kosova do të përballet me rritje të temperaturave gjatë kësaj jave, me mot kryesisht të nxehtë dhe me diell. Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do të arrijnë kulmin të premten, kur në disa zona pritet të shënohen deri në 38 gradë Celsius.
Java do të nisë me mot të ndryshueshëm, ku përveç intervaleve me diell do të ketë edhe zhvillime lokale të vranësirave. Në disa zona, veçanërisht ato malore, nuk përjashtohen reshje të shkurtra shiu, bubullima dhe mundësi për breshër të izoluar.
Gjatë ditëve në vazhdim, temperaturat do të shënojnë rritje graduale. Të martën dhe të mërkurën, vlerat maksimale pritet të lëvizin deri në 33 gradë Celsius, ndërsa nga e enjtja moti do të bëhet edhe më i nxehtë, me temperatura që mund të arrijnë deri në 36 gradë.
Kulmi i valës së nxehtësisë pritet të jetë të premten, më 31 korrik, kur temperaturat minimale do të jenë nga 13 deri në 16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 30 deri në 38 gradë Celsius. Era gjatë kësaj periudhe do të jetë kryesisht e dobët deri mesatare, me drejtim veriperëndimor dhe perëndimor, ndërsa gjatë zhvillimit të vranësirave konvektive mund të ketë përforcime të përkohshme.
Autoritetet këshillojnë qytetarët që gjatë ditëve me temperatura të larta të shmangin ekspozimin e gjatë në diell, veçanërisht në orët e mesditës, si dhe të konsumojnë mjaftueshëm lëngje për të përballuar të nxehtin.
Burim: Sinjali — Redaksia ZHURMA