UEFA lehtëson rregullat e kartonëve — pezullimi vjen pas 4 të verdhëve
Pezullimi i parë i futbollistëve do të bëhet pas katër kartonëve të verdhë, ndërsa ora në stadiume nuk do të ndalet më në minutat 45 dhe 90.
NYON — Shtëpia e futbollit evropian, UEFA, ka miratuar dy ndryshime të rëndësishme në rregulloren e saj për garat e klubeve, duke prekur sistemin e pezullimeve dhe shfaqjen e kohës në stadiume. Këto rregulla të reja do të hyjnë në fuqi nga sezoni 2026/27.
Ndryshimi i parë dhe kryesor lidhet me sistemin e ndëshkimit të lojtarëve me kartonë të verdhë në të gjitha kompeticionet evropiane. Sipas rregullave të reja, një futbollist do të pezullohet vetëm pasi të ketë grumbulluar katër kartonë të verdhë, duke ndryshuar rregullin aktual ku pezullimi pasonte pas marrjes së tre kartonëve.
Shtëpia e futbollit evropian ka sqaruar gjithashtu se pas këtij pezullimi të parë me katër kartonë, çdo ndëshkim tjetër i radhës do të pasojë pas grumbullimit të dy kartonëve të tjerë të verdhë. Kjo nënkupton se lojtarët do të dënohen sërish pas kartonit të gjashtë, të tetë dhe më tej sipas këtij parimi.
Ndryshimi i dytë lidhet me mënyrën e shfaqjes së kohës në stadiume. Praktika e ndalimit të orës në minutat 45:00 dhe 90:00 do të hiqet, duke bërë që kronometri të vazhdojë të ecë në kohë reale edhe gjatë minutave të shtuara të lojës.
Ky sistem i ri i shfaqjes së kohës shtesë në stadiume, i ngjashëm me atë që aplikohet në kampionatin anglez, synon të rrisë transparencën për lojtarët dhe tifozët. Sipas organizatës, këto ndryshime do të përmirësojnë mbarëvajtjen e garave evropiane.
Burim: Albinfo.ch
— Redaksia ZHURMA




