UEFA e CONCACAF kërkojnë shpërndarjen e rezervave të FIFA-s për 211 federatat
UEFA dhe CONCACAF i kërkojnë FIFA-s që t’u paguajë nga 10 milionë dollarë secilës prej 211 federatave anëtare nga rezervat financiare.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
UEFA dhe CONCACAF i kanë dërguar një letër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantinos, duke kërkuar që secila prej 211 federatave anëtare të përfitojë të paktën 10 milionë dollarë nga rezervat në para të gatshme të FIFA-s. Kjo shumë, e barabartë me 7.5 milionë funte, do të shpërndahej gjatë ciklit 2027-30 dhe do të përdorej për investime në infrastrukturë dhe zhvillimin e futbollit.
Letra, e nënshkruar nga presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, dhe homologu i tij në CONCACAF, Victor Montagliani, vjen si kundërpërgjigje ndaj propozimit të braktisur të Infantinos për një marrëveshje me kapital privat. Plani, i quajtur Fifa Forward Enterprise, parashikonte krijimin e një kompanie për të menaxhuar të drejtat komerciale dhe të biletave të garave, përfshirë Kupat e Botës, me 21% të saj që do t’i shitej një kompanie investimesh, por u tërhoq pas katër ditësh për shkak të kundërshtimit nga federatat kombëtare.
Sipas letrës, FIFA pritet ta mbyllë ciklin 2023-26 me rezerva prej rreth 6 miliardë dollarësh, shumë kjo “dukshëm më shumë se sa nevojitet” deri në Kupën e Botës 2030. Shpërndarja e kërkuar, e quajtur “çlirim i njëhershëm i rezervave”, do t’i kushtonte FIFA-s 2.11 miliardë dollarë dhe do të ishte shtesë ndaj financimit të rregullt. Kosova dhe Shqipëria, si federata anëtare, mund të përfitojnë nga të paktën 10 milionë dollarë secila nëse miratohet propozimi.


