Tri medalje shtesë ekipore në Stamboll për karateistët e Kosovës
Përfaqësuesja e Kosovës ka përmbyllur Kampionatin Ballkanik të Karatesë në Stamboll me dhjetë medalje gjithsej, duke shtuar tri të bronzta ekipore në ditën e fundit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Përfaqësuesja e Kosovës në karate ka përmbyllur garat në Kampionatin Ballkanik në Stamboll të Turqisë me dhjetë medalje gjithsej: një të artë, tri të argjendta dhe gjashtë të bronzta. Në ditën e fundit të këtij kampionati, garuesit kosovarë fituan edhe tri medalje të bronzta nga garat ekipore, ku në podium u ngjitën ekiporja e djemve në kategorinë e kadetëve, ekiporja e vajzave në kategorinë e kadeteve dhe ekiporja e djemve në kategorinë e juniorëve.
Gjatë këtij eventi ballkanik, medaljen e vetme të artë dhe titullin e kampiones e siguroi Emira Maqedonci në garën individuale, ndërsa tri medalje të argjendta u fituan nga Suela Arifi, Qëndresa Ibrahimi dhe Prijam Gashi. Ndërkaq, me medalje të bronzta në konkurrencën individuale u stolisën edhe Alea Kelmendi, Krenar Ismajli e Amar Daku.
Federata e Karatesë ka theksuar se ky është një rezultat që dëshmon potencialin e sportistëve. «Një sukses i jashtëzakonshëm që dëshmon talentin, punën dhe potencialin e sportistëve tanë! Urime sportistëve, trajnerëve dhe gjithë ekipit! Vazhdojmë krenarë, me zemër e shpirt për Kosovën!» – thuhet në njoftimin e Federatës.