Thomas Strakosha mungon në Kombëtare, kthehet Etrit Berisha
Përfaqësuesja kuqezi humbet portierin titullar për dy sfidat e radhës në Ligën e Kombeve.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Thomas Strakosha pritet të mungojë sërish me kombëtaren shqiptare për dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve, pasi dëmtimi në gju rezultoi më i rëndë se sa u mendua në shtator. Shqipëria humbet kështu një titullar të padiskutueshëm për sfidat e nëntorit, ku kuqezinjtë luajnë më 12 nëntor në Air Albania kundër Finlandës, ndërsa tre ditë më pas përballen në transfertë me Bjellorusinë. Portieri ishte gjithashtu mungesa e vetme për AEK-un në derbin kundër Panathinaiko-s, ndërsa klubi grek e llogarit jashtë fushave edhe për të paktën dy javë dhe trajneri Nikolic është shprehur se pret që ai të jetë gati pas ndeshjeve të kombëtareve.
Në mungesë të tij, në katërkëndor pritet të rikthehet Etrit Berisha. 36-vjeçari ka shlyer dënimin prej kartonit të kuq të marrë kundër Finlandës dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës pikërisht ndaj finlandezëve. Berisha po kalon një moment tejet pozitiv me klubin e tij në Suedi, ku në shtatë ndeshjet e fundit nuk ka pësuar asnjë gol.