Pse kërkon lirimin me kusht ish-presidenti Thaçi?
Ish-presidenti ofron 50 mijë euro dorëzani në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ofruar 50 mijë euro dorëzani në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në përpjekje për t’u liruar me kusht në rastin e dytë, ku akuzohet për tentim të pengimit të administrimit të drejtësisë. Sipas kërkesës, shuma prej 50 mijë eurosh është siguruar me ndihmën financiare të familjarëve dhe miqve të Thaçit.
Avokatët e Thaçit theksojnë se ai nuk paraqet rrezik arratisjeje, duke qenë se ai është i vetmi nga të bashkakuzuarit që vazhdon të mbahet në paraburgim. Nëse lirohet me kusht, Thaçi është zotuar se do të banojë me bashkëshorten dhe djalin e tij në një shtëpi në periferi të Prishtinës dhe do të respektojë të gjitha kushtet që mund t’i vendosë gjykata.
Tre të bashkakuzuarit e tij në këtë rast – Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Bashkim Smakaj – ishin liruar më herët me kusht pasi kishin ofruar dorëzani prej gjithsej 130 mijë eurosh dhe kishin pranuar të zbatonin një sërë kushtesh të vendosura nga gjykata.
Ndërkohë, sipas raportimit, edhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kërkuar lirim me kusht në rastin kryesor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke argumentuar se shtyrja e shpalljes së aktgjykimit deri më 16 shtator cenon të drejtën e tij për liri dhe jetë familjare.
Burim: Gazeta Metro, https://gazetametro.net/mbrojtja-e-thacit-kerkon-lirimin-e-tij-me-kusht-ish-presidenti-ofron-50-mije-euro-garanci/
— Redaksia ZHURMA