Rama shfaq ambiciet: Misioni im i radhës është të bëhem kryeministër
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar në një intervistë në SHBA se misioni i tij i radhës është të bëhet kryeministër.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë një interviste të shkurtër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shfaqur ambiciet e tij politike për t'u bërë kryeministër i vendit. Ai është ndaluar në rrugë nga krijuesi i përmbajtjes Khan, i njohur për pyetjet që u bën kalimtarëve se me çfarë merren për të jetuar. Gjatë kësaj bisede, Rama është prezantuar duke treguar se është kryetar i Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës.
I pyetur nga intervistuesi se cila është pjesa e preferuar e punës së tij, Rama është përgjigjur se pjesa e preferuar është misioni i tij i radhës, për t'u bërë kryeministër, në mënyrë që të pastrohet dhe të rregullohet shteti. Ai ka folur edhe për kryeministrin aktual, Albin Kurti, duke u shprehur se ky i fundit nuk po bën punë të mirë dhe se duhet t'i tregohet rruga.
Në këtë intervistë, kryetari i Prishtinës ka përmendur gjithashtu përgatitjet për Lojërat Mesdhetare dhe projektet e mëdha në Prishtinë, duke shtuar se duhet të ndërtohen stadiume dhe arena shumëfunksionale. Për realizimin e këtyre projekteve gjatë tre vjetëve e gjysmë të ardhshëm, ai ka theksuar nevojën për ndryshimin e qeverisë.
Videon e kësaj interviste e ka shpërndarë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, i cili ka reaguar duke thënë se kur është pyetur për atë se çfarë bën, Rama do të duhej të thoshte se keqmenaxhon taksat e qytetarëve të kryeqytetit, si dhe ka shtuar komentin e tij lidhur me ambicien e shprehur nga i pari i Prishtinës.