Sveçla: Asnjë individ s’mund ta njollosë Policinë e Kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme ka reaguar pas suspendimit të tre zyrtarëve policorë, të dyshuar për vepra penale.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ministri i Punëve të Brendshme ka përshëndetur veprimet e ndërmarra për hetimin dhe masat ndëshkimore ndaj tre zyrtarëve të forcës rendore. Ky reagim pason vendimin për suspendimin e tyre, ndërkohë që ata dyshohen për përfshirje në ngacmim seksual, kontrollim të kundërligjshëm si dhe keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar.
Xhelal Sveçla ka theksuar se çdo shkelje dhe keqpërdorim i bërë në emër të institucionit do të ndëshkohet rreptësisht dhe pa asnjë lloj kompromisi. Sipas tij, misioni themelor mbetet kujdesi ndaj qytetarëve, andaj nuk do të lejohet që sjelljet e papërshtatshme të cilitdo individ të dëmtojnë imazhin e pjesëtarëve të tjerë që punojnë me ndershmëri e profesionalizëm.
«Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që asnjë individ të njollosë Policinë e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, që me profesionalizëm shërbejnë për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit tonë», ka shkruar ndër të tjera zyrtari i lartë qeveritar.