ShSKUK pezullon drejtorin e Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berisha
Shërbimi Spitalor ka marrë vendim për pezullimin e mjekut pas vendimit të gjykatës për arrest shtëpiak.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka marrë vendim që të pezullojë nga pozita e drejtorit të Spitalit Rajonal të Mitrovicës Gëzim Berishën, i cili dyshohet për dhunë në familje. Ky vendim pason aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku gjyqtarja e procedurës paraprake refuzoi kërkesën për paraburgim dhe caktoi masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji për mjekun e dyshuar. Sipas vlerësimit të gjykatës, kjo masë është e mjaftueshme për të siguruar procedurën penale, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të parandaluar përsëritjen e veprës penale.
Sipas informacioneve të para, dyshimet ndaj tij lindën pasi ai dyshohet se kërcënoi bashkëshorten e tij duke përmendur rastin e tragjedisë së Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026 nga ish-kunati i saj pas raportimit të dhunës. Përdorimi i këtij rasti si mjet kërcënimi ka shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik dhe te shoqëria civile.
Siç raportoi Zhurma më 31 tetor 2026, drejtori i spitalit ishte arrestuar dhe ndaluar fillimisht për 48 orë pas raportimeve për dhunë psikike ndaj bashkëshortes, ndërsa më vonë prokuroria kishte kërkuar caktimin e paraburgimit.