Shpenzimet e Qeverisë me rritje prej 50 për qind në pesë vjet
Buxhetimi shtetëror arriti në 3.49 miliardë euro, ndërsa ekspertët ngrenë shqetësime për orientimin joadekuat dhe mungesën e vizionit afatgjatë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Shpenzimet buxhetore të Qeverisë së Kosovës u ngjitën nga 2.3 miliardë euro në vitin 2020 në 3.49 miliardë euro në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej afër 50 për qind përgjatë pesë viteve të fundit. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, efekti real te qytetarët vlerësohet minimal, pasi rritja e hovshme e buxhetit nuk arriti ta mposhtë inflacionin prej rreth 7.8 për qind. Të dhënat gjithashtu tregojnë se brenda një dekade, shpenzimet e shtetit janë rritur me 116 për qind.
Struktura e ndarjes së mjeteve ka ngritur shqetësime te njohësit e ekonomisë, të cilët vlerësojnë se vendi nuk po e përballon siç duhet krizën ekonomike për shkak të orientimit joadekuat të buxhetit shtetëror. Vetëm gjatë vitit të kaluar, mbrojtjes sociale iu ndanë 955 milionë euro, ndërsa për investimet kapitale, që përbëjnë motorin e zhvillimit ekonomik, u ndanë 25 milionë euro më pak. Profesori Shkumbin Misini nënvizoi mungesën e vizionit afatgjatë dhe orientimin elektoral të financave publike, duke shtuar se në dy vitet e fundit arka e shtetit është shfrytëzuar kryesisht për qëllime zgjedhore.