Shehaj takon ambasadoren e BE: Ndryshimi s’ndalet nga pazaret dhe dhuna
Kryetari i Partisë Mundësia zhvilloi një takim me ambasadoren e BE, Sofia Moreira de Sousa, ku u shoqërua nga deputeti Erald Kapri dhe Sekretarja e Përgjithshme Barbara Doda.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, është takuar me ambasadoren e Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa. Gjatë këtij takimi, ku u shoqërua nga deputeti Erald Kapri dhe Sekretarja e Përgjithshme e partisë, Barbara Doda, ai ka ndarë detaje përmes një postimi në rrjetet sociale.
Shehaj thotë se Shqipëria është përballë një ndryshimi historik, thirrjes masive të shoqërisë për largimin e klasës së vjetër politike 35-vjeçare dhe daljes së të korruptuarve para drejtësisë
, duke shtuar se ky ndryshim nuk mund të ndalet. Sipas tij, as tentativa e kryeministrit Edi Rama për të vënë drejtësinë nën presion apo për të ushtruar dhunë ndaj protestuesve nuk do të kenë sukses.
Kreu i Partisë Mundësia thekson se Me Edi Ramën s’ka tryeza, s’ka marrëveshje, s’ka pazare
dhe se ekziston vetëm një kërkesë e vetme që është dorëheqja.