SHBA gatishmëri për bashkëpunim me presidenten e re të Kosovës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka Pula.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka shprehur gatishmërinë që të punojë me presidenten e sapozgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, duke theksuar përkushtimin për avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
Në një postim për takimin e Shiroka-Pulës me një përfaqësuese të Ambasadës amerikane thuhet se ata mbeten të përkushtuar për bashkëpunim me institucionet e Kosovës. «Ambasada amerikane mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës në avancimin e prioriteteve të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, si dhe prosperitetin e ndërsjellë», thuhet në njoftim.
Justina Shiroka Pula u zgjodh presidente me 81 vota të deputetëve, pas një kompromisi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa zgjedhja e saj shmangu shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Kompromisit i paraprinë diskutime mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, pasi PDK-ja kishte kërkuar që Kuvendi të miratonte ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Kuvendi i miratoi ndryshimet me 88 vota para se të votonte për Shiroka Pulën.
Ekonomistja dhe akademikja Shiroka Pula ishte më herët ministre dhe deputete e PDK-së, kurse para se të zgjidhej presidente drejtonte Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.