Selami Hasani ekzekutohet me armë zjarri në Fier
Një person është vrarë me armë zjarri në qytetin e Fierit, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
FIER — Në qytetin e Fierit është regjistruar një ngjarje e rëndë, ku është gjetur i vrarë me armë zjarri shtetasi Selami Hasani, i njohur gjithashtu me nofkat Sel Çami dhe Seli i Malit. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 1 Maji, ndërsa nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër.
Viktima ishte një emër i njohur për drejtësinë, pasi dy dekada më parë kishte vrarë shtetasin Julian Isufaj, nipin e Arben Isufajt, i njohur ndryshe si Ben Qimja. Për atë vrasje, Hasani kishte qenë i dënuar me 25 vite burg, ndërsa kishte fituar lirinë vetëm rreth një javë më parë.
Rrethanat e ekzekutimit mbeten ende të paqarta. Policia ende nuk ka konfirmuar informacione mbi autorët apo motivet e krimit, ndërkohë që priten detaje të mëtejshme zyrtare për zbardhjen e ngjarjes.



