Rritet fluksi i pacientëve në emergjencën e Gjakovës nga temperaturat e larta
Virozat e stinës dhe goditjet nga dielli kanë shtuar numrin e të sëmurëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.
GJAKOVË — Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjakovë ka njoftuar për një rritje të dukshme të numrit të pacientëve gjatë korrikut dhe gushtit, si pasojë e temperaturave të larta. Sipas mjekëve, në emergjencë janë paraqitur raste me viroza stinore, të shoqëruara me diarre, vjellje dhe molisje, si dhe pacientë me goditje nga dielli.
Flori Bakalli, specialist i mjekësisë familjare në Njësinë e Urgjencës, tha se virozat e stinës kanë dominuar, por nuk kanë munguar as rastet me goditje nga dielli, që janë tipike për temperaturat e larta. Ai shtoi se disa pacientë me simptoma të vazhdueshme janë referuar në Spitalin e Gjakovës, veçanërisht ata me barkqitje dhe vjellje persistente që nuk kanë reaguar ndaj terapisë së dhënë.
Mjekët theksojnë se më të ndjeshëm ndaj nxehtësisë janë të moshuarit dhe fëmijët, ndërsa në grupet e rrezikut përfshihen edhe gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike. Ata rekomandojnë konsumim të shpeshtë të ujit gjatë gjithë ditës dhe shmangie të ekspozimit të gjatë në temperatura të larta, pasi dehidrimi është një ndër rreziqet kryesore, me shenja si molisja, marramendja dhe plogështia.