Rrahmani propozon rritjen e pagës minimale në një mijë euro deri në vitin 2029
Deputeti Eman Rrahmani ka dorëzuar amendamentin në Kuvend për rritjen e pagës minimale në tri faza.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës një amendament për rritjen graduale të pagës minimale deri në 1,000 euro në muaj deri në janar të vitit 2029. Sipas propozimit të tij, rritja do të ndodhë në tri faza, ku nga janari i vitit 2027 paga do të bëhet 650 euro, nga janari i vitit 2028 do të arrijë në 825 euro, kurse nga janari i vitit 2029 do të jetë 1,000 euro.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Rrahmani ka theksuar se paga minimale aktuale nuk po arrin të përcjellë rritjen e kostos së jetesës. Ai ka vlerësuar se ky propozim është i realizueshëm dhe i domosdoshëm për të ruajtur fuqinë punëtore në vend dhe për t'i siguruar punëtorëve një jetë më të dinjitetshme. Deputeti ka rikujtuar gjithashtu se në vitin 2022 kishte kërkuar një pagë minimale prej 500 eurosh, por atëherë ideja ishte konsideruar e paarritshme nga shumë persona, përfshirë edhe ministrin.
Në fund, Rrahmani u ka bërë thirrje deputetëve të të gjitha partive politike që ta mbështesin amendamentin e dorëzuar. «Përgjegjësia jonë ndaj punëtorëve dhe familjeve të tyre duhet të jetë mbi çdo dallim politik», ka theksuar ai, duke shtuar se «Punëtorët e Kosovës meritojnë të jetojnë me dinjitet nga puna e tyre, jo vetëm të mbijetojnë!».
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar


