Romani i ri i shkrimtarit Prend Ndoja sjell rrëfimin për njeriun dhe misteret
Vepra letrare trajton udhëtimin e personazheve përmes dy linjave të pashkëputshme.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Krijimtaria letrare merr vëmendje përmes një vepre e cila sjell në qendër të vëmendjes rrëfimet rreth njeriut, ndjenjave dhe misteret e jetës. Libri i titulluar «Mes shkencës dhe dritës», i shkrimtarit Prend Ndoja i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ofron një strukturë narrative e cila zhvillohet në dy linja të pashkëputshme. Kjo vepër vjen si një romani i botuar nga Botimet «Fishta» në qytetin e Shkodrës, ku shpalosen idetë e autorit dhe teksti kalon në nivele interesante narrative për lexuesin.
Në këtë rrëfim letrar, ndjenja si pasion dhe ndriçimi shpirtëror shërbejnë si mision i personazheve kryesore, Markut dhe Maries, të cilët plotësojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë imazhin e dashurisë së çiltër. Personazhet jetojnë mes botëve të ndryshme, ndërsa origjina etnike mbetet pjesë e identitetit dhe e krenarisë së tyre. Situatat e papritura, dramat personale dhe dashuria në nivele të larta i mundësojnë lexuesit që tekstin ta perceptojë si një leksion moral. Autori kapërthen ndjenjën e dashurisë me misionin e ruajtjes së traditës, duke nxjerrë në pah veçantitë identitare të dy protagonistëve të cilët kanë emigruar në Amerikë dhe kanë ndërtuar një profil të dalluar intelektual.
Karakteri i Maries paraqitet si një vajzë shkodrane e cila në tokën e ëndrrave ka shkuar si fëmijë dhe ka realizuar karrierë si gazetare dhe publiciste. Nga ana tjetër, Marku është një i ri shqiptar nga Kosova i cili pas përfundimit të studimeve ka arritur të bëhet personalitet në fushën e shkencës, duke ushtruar detyrën e profesorit universitar të astrofizikës dhe të letërsisë. Këto dy botë intelektuale ngrenë perceptimin e njeriut në nivele të larta dije, ku debati mes tyre shfaqet si kërkim, hulumtim dhe vetërrëfim. Në kozmosin e tyre, personazhet e kanë atdheun të shenjtë dhe i rikthehen atij për të kurorëzuar dashurinë e tyre përmes një dasme sipas traditave dhe dokeve popullore shqiptare, duke kërkuar të zbulojnë përmes kësaj rruge misteret e jetës.