Reshitaj: Do të vijë dita të kuptohet kush e keqpërdori shtetin
Deputetja e LDK-së ka reaguar pas dekretimit të Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Presidentja e vendit ka dekretuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke sjellë reagimin e deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albena Reshitaj. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ajo ka theksuar se me hyrjen në fuqi të këtij ligji do të bien shumë maska dhe do të kuptohet se kush e ka keqpërdorur shtetin.
Reshitaj ka deklaruar se ka qenë ndër mbështetëset e fuqishme dhe ka kontribuar në shtyrjen përpara të Ligjit Nr. 11/L-006 për Byronë Shtetërore për Procedurën e Verifikimit dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke premtuar se do t'i qëndrojë gardiane zbatimit të tij pa kompromis. Ajo u shpreh se pas cinizmit dhe fjalëve të mëdha fshihen të vërteta që qytetarët duhet t'i dinë, duke shtuar se «shumë prej jush do të zhgënjeheni, ashtu siç jam zhgënjyer edhe unë nga njerëz tek të cilët dikur kishim besim».
Sipas saj, Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme duhet të shërbejë si fundi i arsyetimeve të rreme dhe fillimi i llogaridhënies së vërtetë, ndërsa theksoi se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin apo të mbrohet nga pozita, pushteti dhe lidhjet politike, pasi drejtësia nuk duhet të ndalet.