Rama: Po shqyrtojmë uljen e moshës për dënimin penal pas protestave
Kryeministri thotë se gjykata i ka konsideruar të ligjshme arrestimet dhe paralajmëron përgjegjësi financiare për prindërit e të miturve.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se gjykata i ka cilësuar të ligjshme arrestimet e kryera gjatë protestave të dhunshme në Tiranë, ku përfshihen edhe persona të mitur. Gjatë një paraqitjeje publike, kreu i qeverisë u shpreh se do të shikohet mundësia e uljes së moshës për dënimin penal.
Rama theksoi se statusi i të miturit nuk duhet të shërbejë si mburojë për t'i shmangur përgjegjësisë, ndërsa paralajmëroi se prindërit nuk do të përjashtohen nga detyrimi për të shlyer dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre. «Gjykata i ka konsideruar arrestimet të ligjshme. Prindërit nuk do të mbeten jashtë kësaj përgjegjësie, për të paguar dëmet që bëjnë fëmijët e tyre. Kjo nuk shkon kështu. Është i mitur dhe nuk duhet të mbajë përgjegjësi. Ky është instrumenti i forcës së shtetit. Na duhet instrumenti i këmbënguljes së shtetit», u shpreh ai.