Policia greke sekuestron 26.8 kg kokainë pranë vilës së Lulzim Cakës
Një sasi tjetër droge, e dyshuar si pjesë e së njëjtës linjë me atë të 9 shtatorit, u gjet në një shtëpi pranë vilës ku ishte kapur Lulzim Caka.
Policia greke ka zbuluar një sasi tjetër lënde narkotike gjatë kontrolleve të kryera nga një ekip i DEOS në depo dhe ndërtesa në ndërtim e sipër. Gjatë operacionit, në një shtëpi pranë vilës ku ishte kapur Lulzim Caka, u gjetën të fshehura 26.8 kilogramë kokainë, bashkë me një thikë 21 centimetra dhe plumba të kalibrave të ndryshëm.
Sipas burimeve, kokaina ishte e paketuar në pllaka, gati për shitje, dhe mbante shenja të veçanta. Të njëjtat shenja ishin edhe në format me presat e sekuestruara gjatë operacionit të mëparshëm më 9 shtator, çka sipas DEOS e lidh sasinë e re me të njëjtin grup kriminal.
Hetimi ka zbuluar se sasia e re ishte pjesë e një importi të mëparshëm të paligjshëm kokaine nga Kolumbia. Dyshohet se ajo ishte transportuar me të njëjtin truk të përdorur në rastin e mëparshëm, duke e fshehur drogën brenda buqetave dhe luleve.
Shtëpia ku u gjet droga është në pronësi të të njëjtit person që ia kishte dhënë me qira organizatës kriminale të shpërbërë më 9 shtator.