Phil Collins ishte në prag të vdekjes nga kriza e alkoolit
75-vjeçari u shtrua shtatë muaj në një spital në Zvicër në 2024, kur veshkat e tij nisën të dështonin.
TIRANË — Legjenda e muzikës britanike Phil Collins ishte shumë pranë vdekjes pas një krize të rëndë shëndetësore të lidhur me varësinë nga alkooli, siç e ka rrëfyer vetë në një intervistë për “The Sunday Times”.
75-vjeçari u shtrua për shtatë muaj në një spital në Zvicër gjatë vitit 2024, pasi veshkat dhe organet e tjera nisën të mos funksiononin më. “Veshkat e mia nuk po funksiononin më, ndërsa edhe organet e tjera po fillonin të dështonin”, tha Collins, duke shtuar se nuk mban mend asgjë nga ato momente, pasi ishte në gjendje kritike.
Mjekët diskutuan edhe mundësinë e heqjes së aparaturave që e mbanin në jetë, ndërsa menaxheri i tij kishte thirrur pesë fëmijët — Joely, Simon, Lily, Nicholas dhe Matthew — për t’i dhënë lamtumirën e fundit, nga frika se nuk do ta shihnin më gjallë.
Collins beson se konsumimi i tepërt i alkoolit luajti rol vendimtar në përkeqësimin e gjendjes së tij. Ai pranoi se pinte gjatë ditës dhe se kjo i shkaktoi me kalimin e viteve dëmtime serioze në veshka. Gjatë qëndrimit në spital ai u infektua edhe me COVID-19, çka e rëndoi më tej situatën.
Këngëtari dhe ish-lideri i grupit “Genesis” ka vuajtur prej vitesh edhe nga dëmtime të shtyllës kurrizore, pesë ndërhyrje në gju dhe diabet të tipit 2, të cilat i kufizuan ndjeshëm lëvizjet dhe e detyruan t’i japë fund turneve muzikore. Aktualisht, për të kujdeset një infermiere 24 orë në ditë.
Sot, Collins thotë se ndihet me fat që i mbijetoi kësaj sprove dhe ka qëndruar larg alkoolit që prej asaj krize. Ai nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen t’i rikthehet studios, për të përfunduar projektet muzikore të lëna përgjysmë.
Ai u bë i famshëm në vitet ’70 me “Genesis”, pas largimit të Peter Gabriel, kurse solo u bë një nga artistët më të dëgjuar në botë, me hite si “In the Air Tonight” e “Another Day in Paradise”. Ka shitur mbi 100 milionë disqe si artist solo dhe po kaq me grupin, me shtatë çmime “Grammy”. Rrëfimi i tij tregon se alkooli e çoi në buzë të greminës edhe atë që fitoi kulmin e famës.
Burim: ATSH
— Redaksia ZHURMA




