Novitec transformon Ferrari 12Cilindri me karroceri të gjerë
Kompania gjermane prezanton modelin e modifikuar pjesë e serisë N-Largo, pa shpallur ende shifra për fuqinë apo çmimin.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Kompania gjermane Novitec ka prezantuar një version të modifikuar të Ferrari 12Cilindri, duke e pajisur modelin italian me një trup më të gjerë dhe komponentë të rinj aerodinamikë. Projekti i ri bën pjesë në serinë N-Largo, një linjë konvertimesh të prodhuara në numër të kufizuar që zhvillohet që prej vitit 2013, ndërsa në zhvillimin e tij është bashkëpunuar me stilistin Vittorio Strosek. Pjesa më e madhe e elementeve të reja të karrocerisë është realizuar nga fibra e karbonit, përfshirë parakolpët me hyrje më të mëdha ajri, parafango të zgjeruar dhe pragje anësore.
Sipas kompanisë, komponentët janë testuar në tunelin e erës për të përmirësuar sjelljen aerodinamike, ku parafangot e përparme ndihmojnë në nxjerrjen e ajrit të nxehtë dhe hapjet shtesë përmirësojnë ftohjen e frenave të pasme. Përmes sustave sportive, lartësia e pezullimit është reduktuar me rreth 30 milimetra, duke krijuar mundësinë e përdorimit të fellneve të reja Novitec NF12 N-Largo të krijuara në bashkëpunim me Vossen. Në boshtin e përparmë janë vendosur fellne 21-inçëshe me goma 275/35 ZR 21, kurse në atë të pasmë përdoren fellne 22-inçëshe me goma 325/30 ZR 22.
Për motorin atmosferik V12 ofrohet një sistem shkarkimi prej çeliku inox me valvula elektronike për ndryshimin e tingullit, i cili mund të porositet edhe me veshje prej ari të pastër 999. Deri tani, Novitec nuk ka publikuar shifra konkrete për fuqinë, çmimin apo numrin e saktë të ekzemplarëve që do të ndërtohen. Konvertimi do të jetë i disponueshëm si veturë e përfunduar ose si paketë modifikimi për pronarët që zotërojnë tashmë një Ferrari 12Cilindri.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar