Nigeri: 37 viktima nga gazi toksik gjatë vjedhjes së naftës nga tubacioni
Të paktën 37 persona kanë vdekur në Nigeri pasi u helmuan nga gazi toksik ndërsa përpiqeshin të vidhnin produkte nafte nga një tubacion.
Një tragjedi ka ndodhur në jug të Nigerisë, ku të paktën 37 persona kanë humbur jetën pasi u ekspozuan ndaj gazit toksik. Ata po përpiqeshin të vidhnin produkte nafte nga një tubacion, sipas raportimeve të mediave.
Ngjarja u regjistrua në Okrika, afër Port Harcourt, kryeqytetit të shtetit Rivers. Shumë persona të tjerë konsiderohen të zhdukur, ndërsa disa trupa janë parë duke lundruar në lumë, por ende nuk janë nxjerrë.
Një organizatë joqeveritare ka bërë me dije se një grup të rinjsh kishte lidhur një tub me tubacionin që transporton produkte nafte nga uzina petrokimike Indorama Eleme Petrochemical drejt anijeve që mbërrijnë në zonë për të ngarkuar karburant për eksport. Helmimi ndodhi në momentin kur ata po përpiqeshin të nxirrnin naftë nga tubacioni.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë për personat e zhdukur.