Ngërçi me pagat e gjyqtarëve, Rama: Gjykatësi fillestar merr 500 euro më shumë se në Greqi
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatin për pagat e magjistratëve, duke publikuar të dhëna krahasuese me vendet e rajonit.
Kryeministri Edi Rama ka vijuar reagimet në lidhje me debatin për pagat e gjyqtarëve dhe magjistratëve në vend. Në një postim në platformën X, ai ka publikuar të dhëna krahasuese të rrogave për njerëzit e drejtësisë në Shqipëri dhe në vendet e rajonit.
Sipas të dhënave të bëra publike nga kreu i qeverisë, një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 euro pagë më të lartë se sa kolegu i tij në Greqi. Kryeministri shtoi se me vendimin e marrë paga shkon 2000 euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 euro më shumë se sa ai në Malin e Zi.
Në tabelën krahasuese të publikuar, pagat e gjyqtarëve të rinj shqiptarë renditen të dytat në rajon pas atyre në Rumani ku një gjykatës paguhet 3.665 euro, ndërsa në Shqipëria paga është 3.241 euro, duke lënë pas Slloveninë, Greqinë, Bullgarinë, Bosnjë Hercegovinën, Kroacinë, Malin e Zi dhe Serbinë. Nga përllogaritja e bërë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, paga mujore e një drejtësi-dhënësi shkon në 4.886 euro, duke e kaluar Shqipërinë në vendin e parë me një diferencë prej plus 1221 euro nga Rumania.
Kryeministri ka vlerësuar më parë se nëse rrogat e magjistratëve do të rriten sipas formulës së tyre duke nisur nga 1 Prilli 2023, kostoja totale për buxhetin e shtetit do të jetë 12 miliardë lekë ose 130.5 milionë euro.
Burimet: Report Tv; Bota Sot; Albeu; ABC News; Vizion Plus (klaster 5 outlets).