Nga e hëna qytetarët pajisen me identitet elektronik në shtatë qendra
Ministri Lulëzon Jagxhiu njofton se identiteti elektronik integrohet me platformën eKosova dhe shërbimi do të shtrihet edhe në komunat e tjera.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Qytetarët do të kenë mundësinë të pajisen me identitet elektronik duke filluar nga dita e hënë në shtatë qendrat rajonale të Agjencisë së Regjistrimit Civil, ndërkohë që shërbimi planifikohet të zgjerohet edhe në komunat e tjera në vazhdim. Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook se ky identitet ruhet në Kuletën Digjitale për pajisjet Android dhe iOS.
Sipas ministrit Jagxhiu, aplikacioni eSign mundëson nënshkrimin elektronik të dokumenteve përmes telefonit ose kompjuterit, ndërsa platforma është integruar me eKosova për të siguruar kyçje pa fjalëkalim. Krahas integrimit në procesin e regjistrimit të bizneseve si një nga përdorimet e para konkrete, kjo fazë parashikon shtrirjen e mëtejshme në shërbime publike e private, lëshimin e vulave elektronike dhe harmonizimin me kornizën evropiane të identitetit digjital.