Muharrem Jashari i nënshtrohet operimit dhe mbetet jashtë fushave
Mesfushori i Kosovës operohet me sukses pas përsëritjes së lëndimit dhe pritet të kthehet në fushë muajin e ardhshëm.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Jashari, i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale pas përsëritjes së një lëndimi të vjetër që e kishte mbajtur larg fushave për një kohë të gjatë. Lëndimi i futbollistit u përsërit gjatë periudhës së grumbullimit me ekipin kombëtar për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Gjatë kësaj kohe, ai luajti vetëm 59 minuta në takimin e barazuar ndaj Izraelit. Pas kthimit te skuadra e tij ukrainase, LNZ Cherkasy, u raportua se klubi nuk kishte qenë dakord që lojtari t'i bashkohej përfaqësueses.
Pas operimit, Jashari ka reaguar në rrjetet sociale duke dhënë mesazhin se rikuperimi i tij ka nisur dhe se do të kthehet më i fortë në fushat e gjelbra. Te skuadra e Cherkasyn llogaritin që ai të jetë i gatshëm për lojë duke filluar nga muaji i ardhshëm, ndërsa mbetet për t'u parë nëse do të marrë ftesë për dy sfidat e ardhshme të Kosovës. Gjatë këtij edicioni, ai ka regjistruar vetëm tri paraqitje për klubin e tij në Ukrainë, ndërsa tani përpara tij është periudha e rehabilitimit për disa javë.