MPB: Prindërit të kenë kujdes ndaj grupit të dhunshëm online „764”
Ministria e Punëve të Brendshme bën thirrje për vigjilencë ndaj komunitetit onlajn që shënjestron fëmijët përmes rrjeteve sociale dhe platformave të lojërave.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel prindërve, kujdestarëve, mësimdhënësve dhe opinionit të gjerë për kujdes të madh lidhur me dukurinë e njohur si „764”, një komunitet i dhunshëm onlajn, anëtarët e të cilit shënjestrojnë fëmijët, të miturit dhe personat e tjerë të rrezikuar. Për seriozitetin e kësaj dukurie paralajmërojnë edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë, ndër të cilat edhe Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI), e cila këtë grup e ndërlidh me komunitete më të gjera të ekstremizmit të dhunshëm nihilist dhe grupe të ngjashme.
Apeli ka karakter parandalues dhe synon informimin me kohë të opinionit publik për mënyrat e veprimit të këtyre grupeve. Grupi vepron përmes rrjeteve të ndryshme sociale, aplikacioneve të komunikimit dhe platformave të lojërave onlajn, duke përdorur platforma si Discord, Telegram, Roblox, Instagram, TikTok, Snapchat, Reddit, X, Minecraft dhe Fortnite. Anëtarët e tij vendosin kontakt duke u paraqitur si bashkëmoshatarë ose si persona të interesuar për miqësi apo marrëdhënie emocionale, ndërsa pasi fitojnë besimin, fillojnë manipulimet, kërcënimet dhe shantazhet për të detyruar viktimat të ndajnë materiale intime, të vetëlëndohen ose të ushtrojnë dhunë.
Prindërit dhe kujdestarët ftohen t’i kushtojnë vëmendje ndryshimeve të papritura në sjellje, izolimit, fshehtësisë së shtuar gjatë përdorimit të pajisjeve, lëndimeve të pashpjegueshme apo bisedave për vdekjen dhe vetëvrasjen. Për çdo dyshim apo informacion, qytetarët mund të kontaktojnë Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme në adresën elektronike cybercrime@moi.gov.mk, duke ruajtur mesazhet dhe të dhënat relevante pa u përballur drejtpërdrejt me personat që bëjnë kërcënime.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar