Si mashtruan 813 mijë euro fondet IPARD në Maqedoninë e Veriut?
Pse përsëritet keqpërdorimi i fondeve bujqësore të BE-së me dokumente të falsifikuara?
SHKUP — Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar kallëzime penale kundër pesë personave fizikë dhe dy personave juridikë në prokuroritë kompetente publike në Shkup, për dyshime që lidhen me keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim të librave afaristë dhe përdorim të dokumenteve me përmbajtje të pavërteta, sipas njoftimit të Portalb.mk.
Të denoncuarit, duke vepruar në cilësinë e inxhinierëve mbikëqyrës, kanë përgatitur raporte përfundimtare me të dhëna të pasakta për objekte të papërfunduara, duke mundësuar kështu regjistrimin e tyre në Kadastër si objekte të përfunduara. “Në këtë mënyrë, personat juridikë kanë krijuar kushte që dokumentacioni të përdoret si bazë për procedura të mëtejshme”, thekson Policia Financiare.
Me këto veprime, sipas hetimit, është arritur përfitim i kundërligjshëm pasuror përmes pagesës së mjeteve nga Programi për Zhvillim Rural në kuadër të IPARD 2021–2027, në vlerë totale prej 50.141.528 denarësh, apo rreth 813 mijë euro. Dokumentacioni i falsifikuar u shfrytëzoi si bazë për procedurat e pagesës së mëtejshme.
Ky nuk është rasti i parë. Vitin e kaluar, pesë persona u arrestuan nën dyshimin për ryshfet, ndikim të paligjshëm dhe mashtrim me fondet IPARD. Midis tyre, drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dyshohet se ka nënshkruar marrëveshje të kundërligjshme, duke u premtuar fonde kompanive që nuk plotësonin kriteret, në këmbim të dhuratave të majme, një prej tyre në shumën prej 50.000 euro. Tre ndërmjetës, përfshirë zyrtarë shtetërorë, dysohen se ushtruan ndikim të jashtëligjshëm për të mundësuar vendimin. Gjatë bastisjeve u gjetën fonde të konsiderueshme, duke konfirmuar dyshimet për korrupsion sistemik. Pavarësisht skandaleve, Brukseli e lejoi përsëri Maqedoninë e Veriut të vazhdojë programin.
Çdo rast i ri e vështirëson besimin e komisionerëve se kontrolllet funksionojnë. Fondet IPARD mbeten thelbësore për fermerët, por sistemi që i shpërndan duket i pambrojtur nga inxhinierë të paguar privatë që manipulojnë raporte false pa pengesa.
Burim: Portalb
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.