Liridon Leci mohon sulmin ndaj Edonisa Aliut pas incidentit në TV Dukagjini
Liridon Leci ka mohuar se ka sulmuar ish-futbollisten Edonisa Aliu dhe ka deklaruar se bashkëpunimin me televizionin e ka ndërprerë vetë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Analisti dhe trajneri Liridon Leci ka reaguar pas zhvillimeve të fundit dhe raportimeve për një incident në ambientet e RTV Dukagjinit në Shkabaj, pas emisionit «Dueli Sportiv», ku dyshohet se ka sulmuar fizikisht ish-futbollisten dhe mysafiren e emisionit, Edonisa Aliu.
Leci ka shkruar në Facebook se nuk e ka sulmuar askënd dhe se nuk ka pasur për qëllim të fyejë apo denigrojë ndonjë person, e veçanërisht ndonjë grua, duke kërkuar që të mos përhapen informacione të pavërteta. Ai ka deklaruar se bashkëpunimin me televizionin e ka ndërprerë vetë mbrëmjen e së dielës, drejtpërdrejt gjatë emisionit, duke mohuar pretendimet se kontrata i është ndërprerë nga televizioni.
Në anën tjetër, drejtori i Informacionit në TV Dukagjini, Dibran Istrefi, ka njoftuar se televizioni ka vendosur t'ia ndërpresë kontratën Lecit pas incidentit. Televizioni bëri të ditur se me rastin po merren organet e rendit dhe të drejtësisë.