Pse mbrojtja e Liqenit të Dojranit ngec në një ndërtim pa leje?
Si mund të miratohet plani strategjik 2026-2035 kur Ministria e Mjedisit dhe Komuna e Dojranit nuk bien dakord për fatin e ndërtimeve në breg?
SHKUP — Kaluan gjashtë muaj nga hyrja në fuqi e Planit për menaxhimin e Liqenit të Dojranit si monument i natyrës (2026-2035), por plani ende nuk është miratuar. Bllokimi vjen nga mosmarrëveshja mes Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komunës së Dojranit për fatin e disa ndërtimeve në vetë bregun e liqenit, përfshirë të paktën një ndërtim pa leje të legalizuar.
Ky dokument strategjik, i punuar me vite, duhet të sigurojë mbrojtje më cilësore të mjedisit jetësor, natyrës dhe biodiversitetit në rajon. Plani i mundëson komunës — e cila ka vetëm një nëpunës të ngarkuar për mjedisin jetësor ndëj rreth njëzet punonjësve — qasje në kapacitete shtesë financiare dhe njerëzore. Ky është detyrim i saj sipas Ligjit për natyrën.
Vlerat natyrore të liqenit njihen ndërkombëtarisht. Ai është pjesë e rrjetit Ramsar dhe zonë potenciale e Natura 2000, kryesisht për shkak të rëndësisë për shpendët vendas dhe shtegtarë. Rreth një e treta e llojeve të shpendëve të Maqedonisë gjenden këtu, por numri i disa llojeve po zvogëlohet për shkak të aktiviteteve njerëzore, humbjes së habitateve të kallamit dhe faktorëve klimatikë.
Procesi ka ngecur që nga maji 2025, kur Ministria dërgoi vërejtje. Njëra prej tyre është legalizimi i një ndërtimi pa leje në vendin e quajtur Karaç, mes Dojranit të Vjetër dhe Dojranit të Ri, në vetë bregun e liqenit. Objekti është legalizuar pa marrë mendim profesional nga sektori i natyrës pranë Ministrisë. Ministria ka paralajmëruar se kapaciteti i autokampit të improvizuar Karaç po rritej në mënyrë të paligjshme.
"Me Ministrinë debatuam për atë se si të përcaktohet brezi mbrojtës prej 50 metrash nga bregu, sepse për ndërtime në atë zonë nevojitet pëlqim nga menaxhimi i ujërave," tha kryetari i Komunës së Dojranit, Ilija Tentov. Ligji i vitit 2011 parashikon brez mbrojtës 10-50 metra, me ndalim të plotë të ndërtimeve të përhershme brenda 50 metrave nga bregu. Imazhet satelitore tregojnë se në afërsi të ujit janë ndërtuar ose zgjeruar disa objekte që nga 2011.
Lokacioni Karaç ilustron transformimin dramatik: në 2009 nuk kishte asnjë objekt përveç një kantieri të braktisur, në 2013 ishin rreth njëzet vikend shtëpiza, ndërsa sot është një nga zonat më të mëdha të ndërtimit në juglindje me rreth dhjetë ndërtesa shumëkatëshe dhe kantierë aktivë. Vetëm një pjesë e vogël ndodhen në afërsi të ujit, shumica në anën e sipërme të rrugës. Por në plazhin afër Sretenovës po ndërtohet një ndërtesë shumëkatëshe mu pranë vijës së bregut, deri në katin e katërt, për të cilën MPB ka ngritur kallëzim penal kundër administratës së mëparshme komunale.
Plani për menaxhim duhet të miratohet nga këshilli komunal pasi të marrë pëlqimin e Ministrisë së Mjedisit. Deri atëherë, mungesa e kapaciteteve lokale dhe vonesa në dokumentet planore lënë liqenin pa mbrojtjen që ligji i garanton — ndërsa ndërtimet vazhdojnë.
Burim: Portalb
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.