KPM-ja miraton transmetimin eksperimental për Radio Policia
Komisioni i Pavarur i Mediave ka votuar pro kërkesës për transmetimin eksperimental të radios së Policisë së Kosovës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Komisioni i Pavarur i Mediave ka miratuar kërkesën që i hap rrugë nisjes së transmetimit eksperimental për kanalin e njohur si Radio Policia. Kërkesa ka marrë mbështetjen e gjashtë anëtarëve në mbledhje, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.
Gjatë diskutimit në këtë mbledhje, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv ka sqaruar se hapi bazohet në rregulloren e re për transmetimet eksperimentale, e cila u jep mundësi palëve të interesuara të testojnë teknologjitë dhe format e reja të transmetimit. U theksua se kjo procedurë nuk përbën licencim të një mediumi të ri, por testim teknik dhe programor, ndërsa aktiviteti komercial mbetet i kufizuar për të mos hyrë në konkurrencë me transmetuesit ekzistues të licencuar në vend.
Leja për këtë fazë testuese mund të lëshohet fillimisht për një vit, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër, ndërsa synimi i paraqitur lidhet me mbulueshmërinë, përmirësimin e sinjalit dhe informimin e qytetarëve për sigurinë në trafik dhe sigurinë publike.