Kosova udhëton drejt Dublinit pa Zhegrovën e lënduar dhe Hoxhën e pezulluar
Kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet dhe udhëton drejt Dublinit për ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve kundër Irlandës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kombëtarja e Kosovës në futboll ka nisur përgatitjet në stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshjen e fundit të këtij edicioni në Ligën e Kombeve kundër Irlandës, pas barazimit pa gola, 0:0, ndaj Izraelit. Përzgjedhësi Franco Foda gjatë kësaj seance ka pasur në dispozicion trembëdhjetë futbollistë, ndërsa lojtarët titullarë kundër Izraelit kanë zhvilluar një seancë rigjeneruese në palestrën e hotelit.
Për sfidën e radhës, e cila është përcaktuese për pozitën e dytë në grup dhe do të luhet në Dublin, “Dardanët” do të paraqiten pa dy lojtarë. Sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Edon Zhegrova është liruar nga grumbullimi për shkak të një lëndimi që e pamundëson të jetë i gatshëm. Ndërkohë, Veldin Hoxha mbetet jashtë skuadrës për shkak të pezullimit, pasi u ndëshkua me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë në ndeshjen e zhvilluar të shtunën kundër Izraelit.