Pse muzika sufiste bashkon pesë gjuhë në Filharmoninë e Shkupit?

Si do të shërbejë koncerti i muzikës sufiste si urë lidhëse mes kulturave në kryeqytetin maqedonas?

Pse muzika sufiste bashkon pesë gjuhë në Filharmoninë e Shkupit?
Foto: Wikimedia Commons

SHKUP — Nesër në ora 19:30, në Sallën e Filharmonisë së RMV-së, do të mbahet koncerti i muzikës sufiste me artistin shkupjan Burhan Shaban dhe këngëtarin turk Mustafa Demirci. Organizatorë janë Shoqata Kulturore “Ensar”, Instituti Yunus Emre dhe HalkBank, sipas të cilëve ky organizim nuk do të jetë thjesht një aktivitet muzikor, por edhe një takim kulturor e shpirtëror.

Burhan Shaban tha se performimi në qytetin ku ka lindur dhe është rritur ka një domethënie të veçantë për të. “Ky koncert për mua nuk është vetëm një program artistik; është një shprehje mirënjohjeje, një kujtim dhe një takim zemrash. T’i drejtohem njerëzve të mi në këtë qytet ku kam kaluar fëmijërinë dhe kam ndërtuar ëndrrat e mia është një ndjenjë që nuk mund të përshkruhet me fjalë”, ka thënë gjatë konferencës për shtyp të sotme. Ai theksoi se fakti që koncerti përkon me fillimin e Vitit të Ri Hixhri i jep atij një kuptim edhe më të veçantë, duke i ftuar të gjithë dashamirët e artit për të qenë pjesë e kësaj nate të veçantë.

Mustafa Demirci, këngëtari nga Turqia, vuri në pah forcën bashkuese të muzikës sufiste, duke theksuar se veprat që do të interpretohen në gjuhë të ndryshme bartin të njëjtin mesazh. “Arti dhe kultura, pavarësisht gjuhës në të cilën shprehen, flasin gjithmonë për të njëjtat vlera: vëllazërinë, unitetin dhe ndjenjat e përbashkëta. Muzika sufiste është shprehja më e bukur e njohjes dhe afrimit mes zemrave”, theksoi Demirci, duke shprehur gjithashtu një lidhje të fortë shpirtërore me Shkupin dhe Ballkanin, dhe dëshirën që ky koncert të kontribuojë në forcimin e vëllazërisë dhe bashkëjetesës kulturore.

Kryetari i Shoqatës Kulturore “Ensar”, Prof. Dr. Sulejman Baki, tha se koncerti organizohet me rastin e Mevludit dhe Vitit të Ri Hixhri, dhe do të ketë një rol të rëndësishëm në afrimin kulturor, duke shërbyer si një urë lidhëse. Sipas tij, koncerti do të përfshijë interpretime në gjuhën turke, shqipe, boshnjake, maqedonase dhe arabe, ku me këtë çasje do të bashkohen kultura të ndryshme në një skenë të përbashkët.

Drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Shkup, Yunus Dilber, bëri të ditur se aktiviteti organizohet në kuadër të shënimit të 1500-vjetorit të lindjes së Pejgamberit Muhamed a.s. Dilber gjithashtu tha se aktivitete të ngjashme po zhvillohen në shumë vende të botës dhe njoftoi se pas koncertit të pranishmëve do t’u shërbehet me ëmbëlsira tradicionale, ashure.

Drejtori i Përgjithshëm i Halkbank në Shkup, Fatih Shahbaz, deklaroi se është kënaqësi të mbështeten aktivitetet kulturore dhe artistike, duke shtuar se interpretimi i koncertit në pesë gjuhë pasqyron larminë kulturore të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, organizime të tilla kontribuojnë në harmoninë shoqërore duke bashkuar dallimet dhe duke i shndërruar ato në vlera të përbashkëta.

Koncerti i “Muzikës Tasavufike”, i cili përmes gjuhës universale të muzikës do të bashkojë kultura dhe tradita të ndryshme, pritet të jetë një mbrëmje e veçantë arti, spiritualiteti dhe afrimi mes njerëzve.

Burim: Shenja
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Klinika e Fëmijëve në Shkup shkrihet nga mungesa e stafit
  2. Çfarë tha Hasani për ligjin e përfaqësimit të drejtë?
  3. Kush po e bllokon lejen e re të çimentos së "Usjes"?
  4. Çfarë po bllokon ligjin për përfaqësim të drejtë në Maqedoninë e Veriut?

Vazhdo leximin