Komandanti i FSK-së takon zëvendësdrejtorin e Qendrës së Ekselencës së NATO-s
Bashkim Jashari pret zëvendësdrejtorin e Qendrës së Ekselencës së NATO-s për Mjekësinë Ushtarake, kolonel Zoltan Vekerdi.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zëvendësdrejtorin e Qendrës së Ekselencës së NATO-s për Mjekësinë Ushtarake, kolonel Zoltan Vekerdi. Ky takim vjen në kuadër të qëndrimit të një grupi prej dhjetë ushtarakësh nga kjo qendër në Kosovë, të cilët po udhëhiqen nga kolonel Vekerdi për të realizuar procesin e validimit të dy ekipeve të ROLE 1 të FSK-së.
Gjatë takimit, Jashari e ka falënderuar Vekerdi-n për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke vlerësuar kontributin e qendrës në ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve mjekësore të forcës. Sipas njoftimit të FSK-së, palët kanë diskutuar për bashkëpunimin profesional, shkëmbimin e përvojave dhe zbatimin e standardeve të NATO-s në fushën e mjekësisë ushtarake.
Në këtë takim janë trajtuar gjithashtu çështje që lidhen me qëndrueshmërinë operacionale mjekësore, rivalidimin e ekipeve ROLE 1, pjesëmarrjen e FSK-së në aktivitetet e qendrës dhe përfshirjen në ushtrimin fushor “Vigorous Warrior 28” (VW28). Procesi i validimit synon të vlerësojë dhe avancojë aftësitë operacionale të ekipeve mjekësore, si dhe të rrisë ndërveprueshmërinë dhe përgatitjen e tyre sipas standardeve të aleancës.